Ligji për shqipen kalon leximin e parë në Komisionin për sistem politik

E publikuar: 13/09/2017 12:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ligji për shqipen kaloi leximin e parë. Në Komision për Sistem Politik debati u orientua kryesisht në akuza ndaj shumicës e cila sipas opozitës po sjell një ligj anti-kushtetues. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski mes tjerash u shpreh se ligji për shqipen çon drejt federalizimit, shtetit dygjuhësore dhe diskriminon bashkësitë tjera etnike.

Nga ana tjetër Lëvizja Besa kërkoi qe pa konsenzus të mos kalohet ligji. Sipas deputetit Afrim Gashi, partitë nënshkruese të Platformës së përbashkët të partive shqipe, për diçka tjetër janë marrë vesh në janar dhe diçka tjetër po hartojnë tani, duke akuzuar kryesisht BDI-në. Në mbledhjen e Komisionit, 9 anëtarë votuan pro, 6 kundër dhe asnjë i përmbajtur. I njëjti tani do të dërgohet në seancë plenare për leximin e parë ku e pret debat tre ditorë.

Debati për ligjin për gjuhët vazhdon në Komisionin për sistem politik.

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot seanca do të mbajnë Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive dhe Komisioni për kulturë.

Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive do ta vazhdojë debatin rreth Projekt-ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Debati rreth përdorimit të gjuhëve në këtë trup kuvendor filloi pardje, pasi që paraprakisht mori dritë të gjelbër nga Komisioni për çështje evropiane, i cili debatoi për të si trup amë.

Në rend dite të Komisionit për kulturës është Propozim ligji për shfuqizimin e Ligjit për artistin e kombit të Republikës së Maqedonisë në lexim të parë.

Anëtarët e Komisionit do t’i shqyrtojnë edhe Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase në lexim të parë dhe aktivitetet për përgatitje të Propozim-programit për shënimin e përvjetorëve jubilare të ngjarjeve të rëndësishme dhe personaliteteve eminentë në Republikën e Maqedonisë për vitin 2018.