Lekaj: Gjuriqi bandit, Kryeministri pulë deti

E publikuar: 26/12/2016 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, e ka quajtur pulë deti Kryeministrin Isa Mustafa, kurse drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit, i është referuar si bandit.

Këto etiketime Lekaj i ka bërë pas deklaratës së Gjuriqit që Kosova ka ultimatum për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Që Kosova të jetë e qëndrueshme, duhet të fuqizohen qytetarët. Banditi Gjuriq me ultimatum, kërcënon me krijimin e Asociacionit sipas ligjeve të Serbisë, ndërsa kryeministri i Kosovës si pulë e detit që nuk i dëgjohet zëri. Nuk mund të gjesh zgjidhje për asnjë problem përderisa e mohon atë edhe përkundër ekzistencës së tij”, ka shkruar Lekaj në profilin e tij në Facebook.

Ai shkruan se kryeministri vazhdimisht po i përkrahë marrëveshjet e dëmshme kundër interesave të Kosovës dhe thotë se me një kryetar qeverie si Mustafa, Kosova do të jetë ende nën pronësinë e Serbisë.

‘Qëndrimet e vazhdueshme të kryeministrit Mustafa në favor të dy marrëveshjeve të dëmshme janë, lajme ogurzeza për Kosovën dhe dhënie zemër për njerëzit si puna e Vuçiqit, Gjuriqit dhe disa udhëheqësve të Listës Serbe për të vepruar ashtu si ua ka ëndja atyre dhe si është më se miri për fuqizimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë. Me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të konsiderohet nga Serbia si pronë e saj”, ka thënë Lekaj.