Lekaj e quan Mustafën pulë deti që ndaj Serbisë s’i dëgjohet zëri

E publikuar: 26/12/2016 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që Kosova të jetë e qëndrueshme, duhet të fuqizohen qytetarët. Kështu ka thënë shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj.

“Banditi Gjuriq me ultimatum, kërcënon me krijimin e Asociacionit sipas ligjeve të Serbisë, ndërsa kryeministri i Kosovës si pulë e detit që nuk i dëgjohet zëri. Nuk mund të gjesh zgjidhje për asnjë problem përderisa e mohon atë edhe përkundër ekzistencës së tij”, ka thënë Lekaj përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, si përgjigje ndaj deklaratave të kryesminitrit serb përmes drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Gjuriq tha se kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, u ka dhënë afat përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që deri më 31 dhjetor të tërheqin të gjitha vendimet të cilat ai i ka quajtur të dëmshme, e njëri nga sipas Gjuriqit, është ndërrimi i Lubomir Mariqit nga posti i ministrit të MAPL-së dhe emërimi në vend të tij i Mirjana Jevtiqit nga kryeministri Mustafa, transmeton Koha.net.
“Problemi ndër të shumtë për Kosovën është edhe Lista Serbe që më mend furnizohet në Beograd e veprat e dëmshme, sipas direktivave të Vuçiqit, i realizon në Kosovë. Siç është rasti më Asociacionin dhe insistimin e tyre për ta bërë atë medoemos. Qëndrimet e vazhdueshme të kryeministrit Mustafa në favor të dy marrëveshjeve të dëmshme janë, lajme ogurzeza për Kosovën dhe dhënie zemër për njerëzit si puna e Vuçiqit, Gjuriqit dhe disa udhëheqësve të Listës Serbe për të vepruar ashtu si ua ka ëndja atyre dhe si është më se miri për fuqizimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Lekaj.
Lekaj është i bindur se me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të konsiderohet nga Serbia si pronë e saj.
“Me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të jetë e ndikuar nga Serbia dhe s’do të jetë asnjëherë e pavarur. Që të ndryshohen këto duhet të fuqizohen qytetarët e Kosovës!”, ka shkruar ai.