LDK: Kurtit i mbetet vetëm të dakordohet për datën e themelimit te Asociacionit

E publikuar: 27/02/2023 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se sonte në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”, thuhet në një reagim të kësaj partie, pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel.

Sipas deklarimeve për medie, në takim është arritur pajtimi në parim me Propozimin Evropian, ndërsa ai pritet të nënshkruhet më 18 mars.

“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”, thekson LDK-ja.Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët.

Sipas LDK-së, dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.

“Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”.

LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme.

“Përfundimi në mes të zgjedhjes së në marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri”, përfundon reagimi i LDK-së