LDK i kundërpërgjigjet PSD-së: Joserioz është fakti kur partitë opozitare merren me njëra-tjetrën

E publikuar: 14/05/2018 14:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përpjekjet e LDK-së për rrëzimin e qeverisë Haradinaj nuk po konsiderohen serioze as nga vetë opozita.

Gjatë ditës së djeshme, deputeti nga rradhët e Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, tha se duhet të ketë një qartësim nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ngase kjo e fundit nuk po duket serioze me nismën e saj.

“Mendoj se duhet të ketë një qartësim nga ana e LDK-së e cila nuk po duket aspak serioze në nismën e saj, ngase faktikisht në fillim doli me idenë që të shkoj në mocion votëbesimi për qeverinë, kurse tash nuk qëndron mbrapa kësaj ideje. Kështu që po duket se nuk ka asnjë përpjekje opozitare”, deklaroi dje Krasniqi.

E këtyre deklaratave iu është përgjigjur sot Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti nga rradhët e LDK-së, njëherit edhe sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri, tha për lajmi.net se joserioz është fakti që opozita po merret me njëra tjetrën, dhe se një gjë e tillë më së shumti i shkon për shtati koalicionit qeverisës.

“Së pari mendoj që edhe vet organizimi i tryezave, ose shprehja e vullnetit te mirë të organizimit të tryezave të tilla për të biseduar për cështje të ndryshme edhe për të caktuar datën e zgjedhjeve mendoj që është veprim serioz, dhe në asnjë rrethanë nuk dua ta komentojë se çfarë thonë të tjerët për këtë çasje të LDK-së, se unë mendoj që është joserioze pikërisht opozita me u marr me njëra tjetrën”, u shpreh Beqiri.

I pyetur për kohën se kur mund të ketë veprime konkrete nga LDK-ja për inicimin e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj, Beqiri tha se për këtë çështje nuk mund të afatizohet sepse një gjë e tillë nuk varet vetëm nga partia e tij por edhe nga vullneti i opozitës.

“Nuk mund të afatizojmë sepse kjo nuk varet vetëm nga LDK-ja, sepse të vetëm nuk mund ta bëjmë rrëzimin e qeverisë. Sigurisht që duhen vota, dhe duhet të sigurohemi që e kemi gatishmërinë e të gjithë të tjerëve që të bashkangjiten, ngase nganjëherë mes deklarimeve të disave se nuk janë me vazhdu punën kjo qeveri dhe votës është një hapësirë kohore që duhet me bisedu që të jemi sigurt që kur ta vendosim mocionin të kemi sukses”, shtoi ai.

Beqiri po ashtu shtoi se partia e tij së pari do ta presë rezultatin e tryezave të ftuara nga partitë politike dhe pastaj do të vendosë për hapat e rradhës.

“Sa i përket mocionit ne po presim që nëse këto tryeza që po mbahen tanimë nuk rezultojnë me dicka konkrete, atëherë LDK-ja sigurisht që do të kalojë në fazën tjetër, që nënkupton vazhdimin e përgatitjeve tona për të shkuar drejt një mocioni ndaj qeverisë, në të cilin pastaj do të duheshin të bashkoheshin të gjitha partitë opozitare, mirëpo edhe ata nga koalicioni qeverisës të gjithë ata që mendojnë se kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë tutje”, përfundoi Beqiri.

Ndryshe, rradhën e organizimit të tryezës së përbashkët të spektrit politik, sipas përfaqësimit në kuvend e ka Vetëvendosja, mirëpo kjo e fundit është shprehur se nuk do të marrë pjesë në diskutime të tilla, ngase sipas tyre nuk është duke u arritur diçka konkrete./Lajmi.net/