LAJMI I FUNDIT: Autobusi nga Kosova aksidentohet në Kroaci, 10 të vdekur

E publikuar: 25/07/2021 10:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një autobus me targa të Kosovës në të cilin raportohet se ka qenë i mbushur me udhëtar nga Kosova ka pësuar një aksident në autostratën A3 pranë Slavonski Brod në Kroaci ku kanë vdekur të paktën dhjetë persona, shkruan Gazeta Metro.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:20 dhe sipas mediave kroatë së paku 10 persona kanë vdekur në këtë aksident ndërsa 30 të tjerë janë të lënduar rëndë.

Sipas shefit të policisë rrugore të Stacionit Policor ‘Slavonski Brod’, Franjo Galic i cili foli nga vendi i ngjarjes, autobusi është me targa të Kosovës në linjën Frankfurt – Prishtinë.

“Në ora 6:22, Departamenti i Policisë Brod – Posavina mori një raport se një autobus ishte aksidentuar. Me të arritur në vendin e ngjarjes, u përcaktua se ishte autobus me targa të Kosovës në linjën e rregullt Frankfurt – Prishtinë. Një hetim është duke u zhvilluar. Disa njerëz kanë vdekur dhe 30 janë dërguar në spital. Çdo informacion i mëtejshëm do të jetë në dispozicion pasi të ketë përfunduar hetimi”, tha ai.

Përveç policisë, në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjestarët e ekipit të zjarrëfikësve, ambulanca dhe 30 persona janë dërguar në spital.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është ndër aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha Galic.

“Situata është shumë e vështirë dhe ka ende numër të madh të pasagjerëve që iu kërcënohet jeta brenda në autobus”. tha një zëdhënës i policisë.

“Shkaqet e aksidentit mund të merren me mend tani për tani, por asgjë definitive nuk mund të thuhet”, thonë autoritetet kroate.

Në autobus raportohet se kishte dy shoferë dhe dyshohet se ata u ndryshuan pasi ndaluan në Zagreb. /gazetametro.net