Lajcak të premten në Prishtinë, takon edhe liderët e PDK-së, LDK-së, AAK-së

E publikuar: 06/03/2023 18:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari special, Miroslav Lajcak vjen të premten në Prishtinë. Përveç Kryeministrit Albin Kurti, pritet të takojë edhe krerët e opozitës.

Para takimit të 18 marsit mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak, pritet ta vizitojë Prishtinë, dhe, rrjedhimisht, edhe Beogradin.

Gazeta Express merr vesh se Lajcak vjen të premten në Kosovë dhe përvec qeveritarëve, takon edhe liderin e PDK-së.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se emisari special i BE-së vjen në Prishtinë kah fundi i kësaj jave të shikojë punën që ka bërë pala kosovare për udhërrëfyesin e zbatimit të propozimit evropian, që është pranuar nga Kosova dhe Serbia.

“Në fund të javës së ardhshme pritet që z. Lajcak ta vizitojë Kosovën, pastaj edhe Serbinë; të shikojë punën që është bërë. Në bazë të propozimeve tona, unë besoj që ai do të përpiqet t’i konsolidojë ato”, ka thënë Bislimi më 1 mars në RTK.

Kjo vizitë e Lajcakut pritet të ndodhë, para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuciq, që është caktuar të mbahet me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Kryeministri Kurti, pasi zyrtarisht ka pranuar propozimin evropian më 21 shkurt, ka thënë se negociatat për normalizim do të vazhdojnë përmes diplomacisë fluturuese.

Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë kritikuar Kryeministrit Kurti që pranoi propozimin evropian, i cili thonë se nuk sjell marrëveshje finale me Serbinë e as njohjen reciproke.

Sipas opozitarëve, Kurti, përmes këtij plani, ka pranuar themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, dhënien e statusit të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe vazhdimin e pafundtë të bisedimeve me Serbinë.

Reporteri ka shkruar sot se Ambasada amerikane në Prishtinë “është e shqetësuar” nga deklaratat e bëra prej opozitarëve në lidhje me propozimin evropian.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane. /Express/