Lajcak: Takimi me Kurtin përmbushi pritjet e mia, tani e di shumë mirë çfarë do Kosova

E publikuar: 09/03/2023 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari sllovak, Miroslav Lajcak ka folur për mediat pas takimit që ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Lajcak ka thënë se palët duhet të pajtohen edhe për Aneksin e Implementimit përndryshe marrëveshje s’do të mund të jetë obligative.

Ai ka thënë se ka pasur një bisedë konstruktive dhe shumë të rëndësishme me kryeministrin Kurti për atë se si Kosova e sheh çështjen e implementimit dhe thotë se ky takim ka përmbushur pritjet sa i përket këtij aspekti dhe se tashmë e di shumë mirë se cilat janë pritjet e Kosovës.

”Ne duhet të pajtohemi se si duhet të implementohet. Përndryshe nuk do të jetë obligative. Patëm një bisedë konstrutkive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin. Gjithashtu takova edhe presidenten. Qëllimi kryesor i këtij takimi është se si Kosova e sheh implementimin. Ky takim përmbushi pritjet e mia në këtë kontekst”, ka thënë Lajcak.

Ai ka treguar se për të njëjtin qëllim do të jetë edhe në Beograd.

“Do të jem edhe në Beograd të hënën dhe të martën për të parë se si Serbia e sheh këtë punë”, ka shtuar Lajcak.

Ai tutje ka thënë se shpreson që në Ohër të jenë në gjendje që të arrihet pajtim për një dokument dhe një letër.

“Pastaj shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një letër, një dokument për të cilin do të pajtohemi me datën 18 në Ohër.Është e pamundur që në këtë moment të them shumë. Takimet do të vazhdojnë”, ka shtuar Lajcak.

Lajcak ka thënë se pas këtij takimi i di shumë mirë pritjet e Kosovës dhe se tashmë është koha për t’u fokusuar në finalizim.

Pasi të përfundojë hapi i finalizimit, Lajcak thotë se do të pasojë formalizimi, por që fillimisht duhet përfundohet finalizimi i një dokumenti të vetëm për të cilin palët bien dakord.

“Tani i di shumë më mirë tani pritjet e Kosovës për implementimin. Duhet të fokusohemi në finalizim. Dhe hapi tjetër do të jetë formalizimi. Do të shkojmë atje, por një herë duhet të përfundojmë hapin e dytë. Ambicia sigurisht do të jetë të finalizojmë, të finalizojmë implementimin”, ka përfunduar Lajcak./GazetaExpress/