Lajçak pret marrëveshjen finale ‘pas disa muajve’

E publikuar: 31/08/2020 19:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, deklaroi sot se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve është një proces serioz dhe jo vetëm i një akti.

Bashkimi Evropian mori mandatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010 dhe është i gatshëm të mbështesë procesin dhe ta bëjë më të lehtë në çdo hap të rrugës, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, diplomati sllovak Lajçak u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vlerësoi se ishte një “takim thelbësor dhe i dobishëm” mbi situatën, duke vënë në dukje se ai i përcolli Vuçiq gatishmërinë e Bashkimit për ta bërë dialogun më dinamik.

Lajçak ka thënë se negocimi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë mund të çojë në një marrëveshje për disa muaj dhe se do të ishte gabim të parashikohet një datë përfundimtare pasi ka “ende çështje të komplikuara për t’i adresuar”.

“Të shohim sa kohë na duhet, por po flas për muaj, nuk po flas për vite. Të dy palët janë të përkushtuara, janë serioze dhe respektojnë njëra-tjetrën”, ka thënë ai.