Lajçak përmend “minat” në rrugën drejt normalizimit: Mund të çojë në prishjen e gjithë procesit

E publikuar: 25/04/2023 14:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun midis Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, tha dje se rruga për normalizimin e marrëdhënieve është e minuar dhe se duhet shmangur përshkallëzimin.

“Ne kemi një rrugë drejt normalizimit. Por kjo rrugë është e minuar dhe ne duhet të shmangim të shkelim ndonjë nga ato mina. Sepse kjo mund të çojë në prishjen e të gjithë procesit,” theksoi Lajçak gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Austriak për Paqe.

Lajçak shprehu shpresën se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili filloi në fund të shkurtit pasi të dyja palët e pranuan propozimin evropian, do të vazhdojë.

Situata në Kosovë është e tensionuar dhe ka shumë pak besim reciprok, nënvizoi ai.

Emisari evropian thotë se gjatë vitit të kaluar situata ishte shumë pranë përshkallëzimit, por se kjo krizë është tejkaluar me mbështetjen e SHBA-së, EULEX-it dhe KFOR-it.

Lajçak tha se gjashtë muajt e fundit të vitit 2022 u shënuan me menaxhim të krizës dhe se negociatat tani kanë çuar në faktin se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë pranuar marrëveshjen evropiane për normalizimin e marrëdhënieve në fund të shkurtit.

Nënshkrimi formal i marrëveshjes, me të cilën, siç shpjegoi ai, Prishtina para së gjithash garanton mbrojtjen e minoritetit serb, dhe Beogradi i njeh dokumentet e Kosovës, nuk u bë sepse Beogradi nuk e njeh Kosovën, Lajçak.

“Vuçiq nuk ka mundur të pranojë asnjë ceremoni në të cilën Serbia dhe Kosova trajtohen në mënyrë të barabartë dhe Kurti nuk pranon një ceremoni ku të trajtohet ndryshe nga Vuçiq”, ka theksuar ndërmjetësi evropian.

Megjithatë, ai thotë se dokumenti është i detyrueshëm për të dy palët, dhe tani bisedat e vështira kanë të bëjnë me zbatimin, nga sekuencimi e deri te afatet kohore për zbatimin e hapave individualë.

Tashmë më 2 maj është konfirmuar takimi i radhës ndërmjet Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në takimin e 2 majit pjesë e agjendës do të jetë edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.