Lajçak kërkon heqjen e menjëhershme të reciprocitetitP

E publikuar: 31/05/2020 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i zhgënjyer me masat e reciprocitetit, të vëna nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Veprimet e tilla të njëanshme e cënojnë vazhdimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Si është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe respektojnë marrëveshjet e mëparshme”, shkruhet në një postim të tijin në Twitter.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka nisur me zbatimin e reciprocitetit për mallrat serbe. Sipas vendimit të Qeverisë, në raportet tregtare me ndërmarrjet serbe, ndalohet dokumentacioni rreth produkteve bujqësore dhe industriale në të cilin nuk përdoret emri “Republika e Kosovës”, transmeton KOHA.

“Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkruhet në vendimin e të së shtunës, të Qeverisë.