Lahi Brahimaj: Elez Blakaj është frikacak, dezertor dhe interesxhi

E publikuar: 23/08/2018 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK’së, Lahi Brahimaj sot në emisionin Frontal në Televizionin 7, ka folur rreth fryrjes së listave të veteranëve në Rrafshin e Dukagjinit si dhe për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj. Ish-prokurorin e ka quajtur frikacak, dezertor e interesxhi.
Brahimaj është shprehur i bindur se listat e veteranëve në Rrafshin e Dukagjinit nuk është fryrë siç është thënë deri më tani dhe se ka mundësi që ndonjë individ që nuk ka luftuar të jetë pjesë e listave por asnjëherë mijëra apo qindra persona.

“Jam thellësisht i bindur që ndoshta ndonjë individ po, por nuk është e mundur që gjithë ata njerëz janë futë në lista pa luftuar. Është puna e organeve hetuese që t’i vërtetojnë dhe të ndëshkohen sipas ligjit personat që janë në lista e nuk janë veteranë, por nuk është e ekzagjeruar as me mijëra as me qindra”, ka thënë Brahimaj në Frontal.

Ndërsa i pyetur për largimin nga Kosova të prokurorit Elez Blakaj, dorëheqjen e tij dhe ngritjen e aktakuzës për fryrjen e listave të veteranëve, ai ka thënë se si shumë të tjerë, edhe Blakaj po mundohet ta njollosë luftën e UÇK’së, madje e konsideron frikacak dhe dezertor të punës së tij, pasi e ka lënë në gjysmë atë që e ka filluar.

“Shumë persona po mundohen ta njollosin luftën e UCKsë, akti që e ka bërë Blakaj më jep përshtypjen se është frikacak dhe interesgji. Për mua është një dezertor i punës së vet”, ka thënë Brahimaj për Blakajn.

Ai tutje thotë se nëse Blakaj ka qenë i kërcënuar është dashur të tregonte, pasi detyra e tij është që ai t’i mbrojë të tjerët, e nëse ai nuk mund ta mbrojë vetën nuk është dashur ta pranojë detyrën që e kishte. Madje Brahimaj ka thënë se Blakaj tani që është në një vend të sigurtë, në Amerikë, le të tregojë kush e kërcënoi.

“Në qoftë se nuk ka qenë në gjendje me e mbrojtë veten pse e ka zgjedhë atë drejtim dhe pse e ka pranuar atë detyrë. Ai supozohej se do duhej t’i mbronte të tjerët që kanë nevojë për ndihmën e tij e jo të mos mund ta mbrojë as veten. Është dashtë me i qitë me emra kush e ka kërcënu, e tash që është në vend të sigurtë le ta thotë kush e kërcënoi”, është shprehur Brahimaj./GazetaExpress