Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot pas votimit në Kuvend të Komisionit Ad Hoc për Vetingun në drejtësi, duke e cilësuar lajm shumë të mirë pasi sipas saj do të mundësojë zhvillim dhe jetësim të reformës në drejtësi.

Haxhiu ka thënë se pas votimit të këtij Komisioni, shteti i së drejtës në Kosovë do të bëhet.

Haxhiu po ashtu ka thënë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë profesional.

“Sistemi i drejtësisë, duhet ta ketë besimin e qytetarëve dhe ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë profesional e me integritet, llogaridhënës dhe transparent. Ky proces do t’i garantojë këto”.

Ndër të tjera, Haxhiu i ka uruar punë të mbarë Komisionit Ad Hoc për vetingun në drejtësi i cili u votua në seancën e të premtës së 9 dhjetorit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Shteti i së drejtës nuk ka alternativë, ai do të bëhet”, ka shkruar Haxhiu.