Kuvendi vendos për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Ishujt Falkland

E publikuar: 30/11/2022 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kuvendit në Kosovës në seancën e sotme kanë vendosur për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ishujt Falklands, që është pjesë e Britanisë së Madhe.

Për votuan të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në sallë – gjithsej 77.

Vendimi për t’i propozuar Kuvendit miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së jashtë vendit, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands, u miratua në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.

“Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi”.

“FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar në shtator të vitit 2022 nënshkruan marrëveshjen për bashkë-zbarkime të forcave të tyre në misione ushtarake jashtë këtyre dy shteteve.

Atëbotë, zyrtarët e Kosovës thanë se nënshkrimi i marrëveshjes “rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”.

Kosova ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për angazhim të përbashkët të forcave ushtarake në misione të ndryshme.

Përmes këtij bashkëpunimi, me trupat amerikane, më 2021 një kontingjent i FSK-së u dërgua në Kuvajt – në misionin e parë jashtë vendit./