Kuvendi i Berishës shkarkon Gazment Bardhin, Grida Dumën, Enkelejd Alibeajn dhe Jorida Tabakun

E publikuar: 11/12/2021 13:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Delegatët e Kuvendit të thirrur nga Berisha në “Air Albania” kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve, Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisës.

Lexo edhe: Kuvendi i Berishës hedh në votim shkarkimin e Bashës: Më 18 Dhjetor referendum në çdo degë të PD

Ndërkohë që pak metra më tej, Kuvendi i PD, i thirrur nga Berisha vendoste për shkarkimin e tre nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm, kryetari i PD-së Lulzim Basha mbajti një fjalim të gjatë në seli duke theksuar se dera e partisë është e hapur për të gjithë. Basha tha se do të donte që kjo ditëlindje e PD-së të ishte ndryshe, por sipas tij, nuk mundej që të ndalonte individët që të përdornin anëtarësinë e partisë për qëllime personale.

Basha deklaroi se rruga e demokratëve nisi plot me sprova në Dhjetor të vitit 1990. Ai u shpreh se askush dhe asgjë nuk ia heq krenarinë demokratëve. Ai tha se mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë historinë por nuk mund ta bëjnë këtë pa mbështetjen e SHBA dhe BE.

“Zonja dhe zotërinj, demokratët dhe demokrate. Të dashur miq dhe të ftuar. Mblidhemi në një ditë kuptimplotë për shqiptarët që kanë në zemër vlerat e lirisë dhe demokracisë që kanë nisur 31 vjet më parë në një rrugëtim plot me sprova dhe nga ëndrrat më të bukura nga studentët e dhjetorit. Nga aspirata e tyre për liri politike”, tha ai.

Pas shkarkimit të tre nënkryetarëve dhe Gazment Bardhit, Kuvendi vendosi që të përdorë votë të fshehtë për shkarkimin ose jo edhe të kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Votimi do të mbahet në orët në vijim. /abcnews.al