Kushtëzimi i Prishtinës për mos pagesat e mbeturinave, reagon kryetari i KMDLNJ-së

E publikuar: 06/03/2018 09:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Komuna e Prishtinës ka filluar që të bëjë faturimin e taksës së mbeturinave që nga 1 janari i vitit 2018. Nëse konsumatori nuk i paguan 3 këste të njëpasnjëshme, komuna aplikon masa administrative ndaluese për shërbimet të cilat ofrohen nga disa drejtori.

Lidhur më kushtëzimin e qytetarëve për mos pajisje të shumë dokumenteve përfshirë edhe atë të tatimit në pronë për regjistrim të veturave ka reaguar, Behxhet Shala, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive – KMDLNJ-së, shkruan lajmi.net.

Shala po konsideron që Komuna e Prishtinës po aplikon një rregullore që mund të jetë bërë kundërligjshëm, pasi sipas tij, kushtëzimi i qytetarëve është akt kundër lirive të të drejtave të individit dhe i kundërligjshëm.

“Ne kemi reaguar vazhdimisht kundër këtij kushtëzimi, sepse çdo kushtëzim është vepër penale, me përjashtim të nxjerrjes se dokumentit të tatimit në pronë, nëse nuk e paguan tatimin. Ndryshe, të gjitha kushtëzimet tjera janë të kundërligjshme. Di që ka pasur reagime edhe nga ana e MAPL. Mirëpo, Komunat kanë dal mbi institucionet qendrore. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Paratë e inkasimit, për ata që nuk paguajnë nuk mund të merren me kushtëzime, pasi janë institucionet përkatëse që merren më këtë punë, si gjykatat apo përmbaruesit. Pra, të kushtëzohet më dokumentacion është e kundërligjshme dhe e pa moralshme”, tha Shala për lajmi.net.

Ndërkohë, sipas njoftimit të Komunës kjo është e rregulluar sipas Rregullores së menaxhimit të Mbeturinave – 2016.  Ndërkaq, fatura e taksës së mbeturinave do të shpërndahet përmes inkasantëve, tek të gjithë klientët cilët marrin shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, më së voni në fund të Janarit 2018. Shuma totale e faturës përmban taksën e mbeturinave për 3 muaj, kështu që klientët do të pranojnë faturën çdo 3 muaj. Pagesa e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave tani e tutje mund të bëhet brenda objektit të komunës, banka komerciale, si dhe institucione tjera financiare.

Secila shtëpi apo banesë në komunën e Prishtinës është e obliguar të paguaj taksën për mbeturina në vlerë prej 4.7 Euro, për një muaj, ose për 3 muaj, në total 14.1 euro.

Tashmë qytetarët kanë shprehur edhe reagime të shumta edhe për kushtëzimin e pagesës së tri faturave përnjëherë dhe jo një ashtu siç ka qenë më herët.

Ndryshe, nëse gjeneruesi i mbeturinave nuk i paguan 3 këste të njëpasnjëshme, komuna aplikon masa administrative ndaluese për shërbimet të cilat ofrohen nga drejtoritë si në vijim: Drejtoria e Kadastrit; Drejtoria e Urbanizmit Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM); Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH); Zyra e Prokurimit; Drejtoria e Financave (DF); Drejtoria e Pronës (DP); Drejtoria e Inspeksionit (DI).

Nga ana tjetër, borxhet e vjetra deri më 31 dhjetorë 2017 që janë më mijëra, do ti inkasojë Kompania Regjionale “Pastrimi” e cila edhe bënë mbledhjen  mbeturinave nga kontejnerët. Ndryshe nga komuna që do të aplikojë kushtëzimin me fatura, kjo kompani ka vendosur që borxhlinjtë që nuk do të paguan borxhet e vjetra do të shkojnë tek përmbaruesit. /Lajmi.net/