Kusari – Lila: Seanca nuk u ndërpre nga mazhoranca, nuk e mbështesim tërheqjen e Trustit

E publikuar: 22/06/2022 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mungesë të kuorumit është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohej lejimi i tërheqjes deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Pas seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila, mbajti një konferencë për media ku edhe njëherë ripërsëriti qëndrimin e këtij grupi që janë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

“Grupi i jonë parlamentar tash e disa muaj ka deklaruar se nuk e mbështet tërheqjen e 30 përqindëshit të Fondit të Kursimeve Pensionale dhe kjo ka të bëjë eksluzivisht me ruajtjen e mirëqenies së qytetarëve në kohën kur ju nevojiten ato mjete në moshën 65 vjeçare, edhe me ruajtjes e stabilitetit të sistemit financiar të Kosovës “- tha Kusari Lila.

“Ajo çfarë opozita ka propozuar është mbështetur nga të tjerët, unë e kuptoj tendencën se të gjithë që kanë fonde në Trust kanë projektuar se ku do t’i shpenzojnë ato por kjo është afatshkurtër që do të ketë pasoja afatgjate”

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së theksoi se seanca e sotme e kuvendit për Trustin nuk u ndërpre nga mazhoranca.

“Sot ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si pasojë e mospjesëmarrjes në votim të opozitës dhe kjo situtatë po përsëritet. Nuk ishte mazhoranca që e bllokoi por ishte opozita që refuzoi të ishte aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për tu trajtuar sot. Opozita duhet të jetë serioze dhe jo të bëjë bllokada duke zgjedhur pikat që atyre u përshtaten”, – theksoi ajo.