
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po ashtu zhvilloi një takim me zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.
Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te shtylla e parë e këtij plani, përkatësisht te transformimi digjital.
“Falë vëmendjes së Qeverisë në transformimin digjital, sidomos me shërbimet në e-qeverisje dhe digjitalizimin në arsim, që pritet të përkthehet në investime prej 100 milionë euro në pesë vitet e ardhshme, synohet që të ofrojmë infrastrukturë sa më të përshtatshme për kompanitë e këtij sektori ashtu që të mund të zhvillohen sa më shumë” thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.
Duke folur për potencialin e Kosovës në fushën e Teknologjisë së Informacionit, kryeministri theksoi se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor në indeksin e konkurrueshmërisë së IT-së, të parët në Evropën në Zhvillim (Emerging Europe) për numrin e studentëve në fushën e TI-së për 100 mijë banorë, kurse të dytët për infrastrukturën teknologjike.
Krahas saj, kryeministri Kurti gjithashtu veçoi edhe progresin në indikatorë ndërkombëtarë të transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.