Kurti thoshte se Rakiq ruan qetësinë, kompania e tij bllokon rrugën në Veri

E publikuar: 13/10/2021 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, ka reaguar pas aksionit të sotshëm të Policisë së Kosovës, për të luftuar kontrabandën. Rakiq para mediave tha sot se me këtë aksion “është mbushur gota”.

Rakiq para nisjes për Rashkë ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do të durojnë më.

“Nuk e di se sa njerëz do të jenë në takim me Vuçiqin, ndoshta 10-15 mijë, por ne nuk mund të durojmë më e as nuk do të durojmë. Me këtë është mbushur gota. Do të kërkojmë konkretisht a mund të na ndihmojë apo jo, a dëshiron të na ndihmojë apo jo, por duhet ta kemi këtë informatë qysh sot, pasi për ne është çështje jetë a vdekje. Ka mbetur të na marrin edhe ajrin, më nuk do të lejojmë ”, ka thënë ministri i kabinetit qeveritar.

Ndërkohë, sic raporton Koha.net, kamionë të kompanisë së pastrimit në Mitrovicën Veriore, “Standard”, ku drejtor figuron ministri i Kosovës, Goran Rakiq, po bllokon rrugën në veri, pas aksionit të Policisë së Kosovës në luftim të kontrabandës.

Vetë ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, në deklarimin e pasurisë në kuadër të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi pati deklaruar pozitën e drejtorit në këtë ndërmarrje të regjistruar në Serbi, ndërsa në deklarimin e pasurisë në Kosovë pati deklaruar vetëm pozitat nga institucionet e Kosovës.

Në uebfaqen e kësaj kompanie te pozita e drejtorit figuron emri i Rakiqit.

E jo më larg se para tri jave, kur serbët lokal protestonin për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, kryeministri Albin Kurti thoshte se Rakiq ka për qëllim që protesta të mos eskalojë.

Ai tha se nuk e ka në plan që të marra ndaj tij, pasi sipas Kurtit, ai është përpjekur që të mos ketë veprime të dhunshme.

“Unë kam qenë në kontakt me ministrin Rakiq, me të kemi dallime nganjëherë më të vogla nganjëherë më të mëdha, por unë nuk mund të ankohem në komunikimin me të dhe unë nuk e kam përshtypjen që ministri Rakiq ka shkuar në protestë për të eskaluar situatën. Me atë që më ka treguar ai, besoj që është përpjekur që të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj që duhet të marr masa ndaj tij”, u shpreh Kurti.

Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë aksion të gjerë në gjithë vendim për luftim të kontrabandës dhe në të gjitha qytetet ka shkuar gjithçka qetë, pos në veri ku ka pasur rezistencë të banorëve serbë.

Gjatë aksionit, Policia ka njoftuar se janë lënduar 6 policë, ndërkohë që në gjithë vendin për kontrabandim me mallra ka arrestuar tetë persona e është në kërkim të pesë të tjerëve.