Kurti shpalos planin e Vetëvendosjes për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

E publikuar: 21/05/2018 14:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot në një konferencë për media ka shpalosur një plan të partisë së tij për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kërkoi edhe përkrahjen e qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve të kuvendit.

Si pika kryesore të këtij plani, Kurti përmendi se duhet të zhvillohet një dialog me BE-në për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, pasi siç tha ai, një gjë e tillë është e nevojshme edhe për Bashkimin Evropian, raporton lajmi.net.

Tutje, Kurti përmendi edhe pikat tjera të planit të Vetëvendosjes së dialogut me Serbinë, ku përfshihet edhe kundërshtimi që në këtë dialog të jetë pjesëmarrës presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ose ish-kryesuesja e këtyre bisedimeve, Edita Tahiri.

“-Kërkojmë një bilanc shtetëror të dialogut,

– Kërkojmë që të realizohet dialogu i brendshëm në institucione dhe shoqëri,

-Të pajtohemi që te mos kete shmangie nga prioritizimi i drejtësisë,

-Pajtueshmeria shoqërore dhe nacionale për temat dhe strategjitë në dialog e cila nuk mund të përfshijë pjesëmarrjen e Edita Tahirit dhe Hashim Thaçit në bisedime”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, dialogu aktual mes Prishtinës dhe Beogradit i ka defaktorizuar serbët e Kosovës dhe i ka lënë ata në harresë për shkak të preferencave dhe ndikimeve të Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.

Kurti foli edhe për tryezën e ftuar nga partia e tij gjatë ditës së premte ku tha se kësaj here do të jetë ndryshe për shkak se qëllim kryesor është arritja e një konsensusi për zgjedhje të parakohshme.

“Është duke u dërguar ftesa, shpresoj që të gjitha ata që i kemi ftuar të vijnë, kjo është një tryezë tjetër për arritjen e një konsënsusi për zgjedhje të reja përmes së cilave synojmë edhe zgjidhjen e problemeve”, përfundoi Kurti.