Kurti priti në takim Bordin e Trepçës, zotohet për përkrahje të mëtejme

E publikuar: 02/12/2022 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Bordin e Ndërmarrjes Trepça Sh.A, të kryesuar nga Bahri Hyseni dhe u.d e Kryeshefit të Ndërmarrjes Trepça Sh.A, Enis Abdurrahmani, për të diskutuar punën e deritanishme dhe hapat e mëtejmë.

Kryeministri theksoi përkushtimin që ka për Trepçën dhe minatorët dhe u zotua për përkrahje të mëtejme dhe të vazhdueshme të Qeverisë.

“Me pagë mesatare prej 805 euro për minatorët, Trepça është ndër punëdhënësit kyçë në zonat ku operon. Së fundmi, krahas fillimit të pagesave të kontributeve pensionale të punëtorëve për herë të parë pas shumë vitesh, në kuadër të skemës së praktikës në punë, Trepça ka angazhuar 210 punonjës dhe së shpejti planifikon të hapë pozita të reja për të freskuar fuqinë punëtore. Gjatë vitit 2022, Trepça ka arritur që të ulë shpenzimet, të rrisë të hyrat dhe të rrisë investimet kapitale nga buxheti vetanak. Shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative janë ulur për 9 për qind, respektivisht 18 për qind, të hyrat nga shitja e koncentratit të plumbit e zinkut janë rritur për 23 për qind, ndërkaq investimet kapitale nga buxheti vetanak për vitin 2022 janë rritur për 20%”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Poashtu, në komunikatë thuhet se falë një plani të kujdesshëm, ndërmarrja ka kursyer mbi 1800 MËh energji gjatë këtij viti krahasuar me periudhën paraprake, ndonëse është ballafaquar me çmimin e ngritur të tregut ndërkombëtar të energjisë.

“Për një ringritje të qëndrueshme si ndërmarrje, Trepça po planifikon hapat e radhës me përkrahjen e Qeverisë, si shitja e mbetjeve në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh dhe investimet kapitale në teknologji moderne dhe efiçiente, që mundësojnë shfrytëzimin më të mirë të energjisë dhe xehes dhe mbron njëherësh mjedisin”.

Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.