Kurti pret në zyrë kryetarin e BSPK-së, por jo Jasharajn

E publikuar: 10/09/2022 23:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati zhvilluan sonte një takim me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave.

Kryeministri Kurti thuher se e njoftoi z. Hykolli se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që po vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve.

“Ndërkohë që javën e kaluar është prezantuar pakoja e re për Përballje me Inflacionin që është vazhdimësi e mbështetjes ndaj qytetarëve nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe punonjësit e sektorit publik.

Përveç mbështetjes direkte financiare, ku përfitojnë të punësuarit në sektorin publik e privat, studentët, familjet në asistencë sociale e pensionistët, pakoja parasheh edhe lehtësim të barrës së faturave të energjisë elektrike për ata që kursejnë. Kjo mbështetje që po u bëhet qytetarëve është më e madhja në rajon por edhe më gjerë”.

Më tej ai tha se Qeveria që drejtohet nga ai ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesa sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik. Si dëshmi mori vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri.

Ndërkohë, Kurti duket se vazhdon inatin me kryetarin e Këshillin Grevist, dhe kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj. Ai nuk ka qenë pjesë as e këtij takimi.