Kurti pret masa ndaj Serbisë: BE-ja si ndërmjetëse është “përgjegjëse” për çdo devijim

E publikuar: 22/03/2023 12:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen në terren në Serbi.

Kurti, në një konferencë për media, tha se Kosova nuk merret me deklarimet e palës serbe pasi tashmë kjo është në dorën e BE-së.

“Bashkimi Evropian duhet të dëshmohet tani, ne tani kemi marrëveshje, kishim marrëveshje me 27 shkurt dhe bëmë sërish marrëveshje me 18 mars njëra në Bruksel e tjetra në Ohër dhe që të dyja janë marrëveshje dhe janë konstatuar nga ndërmjetësi që kjo është marrëveshje”.

“BE-ja po thotë se është marrëveshje nga ana tjetër kemi deklarimet e palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo se si tashmë po shkel diçka tjetër. Por, ne nuk duhet të merremi me këtë. Tash BE-ja është ai që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduar të zbatohen në terren”, u shpreh Kurti.

Madje, Kurti tha BE-ja imponon zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe mbikëqyr zbatimin e tyre.

“Ndërmjetësi imponon zbatimin dhe e ka fjalën tash për çfarëdo devijim, deformimi apo shkelje” tha Kurti.