Kurti: Pranoj çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese por jo shkrim të Kushtetutës

E publikuar: 26/05/2020 22:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti duke folur për situatën politike në vend, ka thënë se beson në vendimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese, e vetëm si të tillë do ta pranojë.

I njëjti madje ka folur edhe për presidentin Thaçi, duke thënë se ka dështuar në tri orvatje, e edhe ne të katërtën do të dështoj gjithashtu.

Unë s’e kam largu në mes të natës ministrin Veliu, por në mes të ditës. Ish ministri ka deklaru shpesh kundër meje, por unë asnjëherë s’e kam konsideruar si problematike, deri në momentin kur në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Thaçi tentoi një lloj puçi për të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

Ne e parandaluam një gjë të tillë, praktikisht e kam larguar Veliun, sepse s’kam mundur të mos e shkarkoi.

Kishte një tendencë puçi që dështoi dhe ky është momenti i dytë i dështimit të Thaçit, i pari ishte kur shkoi në Washington që u takua me Vuçiqin dhe i treti ishte shkarkimi i qeverisë.

Dhe tash është orvatja e katërt, për ta rrëzuar pushtetin demokratik të dalur nga zgjedhjet.

Protestat i bëjnë qytetarët e aktivistët tanë, s’do të di çfarë do të jetë reagimi i qytetarëve dhe VV-së, unë jam i gatshëm të pranoj çdo vendim të kushtetueses, por jo shkrim të kushtetueses. Pasi askush s’ka të drejtë ta shkruajnë Kushtetutën”, tha Kurti në një intervistë me gazetarin Adi Krasta.

Ai foli edhe për raportet me kryetaren e Kuvendit, Vjosa osmani, për të cilën tha se marrëdhënia e tyre e mirë, po i bezdis të tjerët.

“Unë kam respekt dhe vlerësim për Osmanin si parlamentare, akademike dhe kryetare e Kuvendit. Ajo është një politikane e cila ka mendim të pjekur dhe e cila ka dëshmu integritet gjatë viteve, si kryeministër kam bashkëpunim normal me kryetaren e Kuvendit, mbase bashkëpunimi ynë është bezdisës për të tjerët. Ajo e shpëtoi LDK-në, LDK s’do të dilte e dyta pa të. Tash në të gjitha matjet LDK ka rënë në vendin e tretë, aty ku e patën rrëzu në 2017 udhëheqja aktuale e LDK-së që bën çdo gjë vetëm të mos bëj ndryshime.

S’mund ta parashoh të ardhmen, por pas aktgjykimit të kushtetueses, besoj që do të mund t’na bëj të parashikojmë se çfarë role e bashkëpunimesh do të kemi”.