Kurti për papunësinë: Industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira me punëtorë të kualifikuar

E publikuar: 21/12/2021 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti

Gjendja aktuale dhe synimet e Qeverisë së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional ishin në qendër të dialogut ndërministror në takimin e mbajtur sot.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në këtë takim ka folur për rëndësinë e Arsimit dhe Aftësimit Profesional për zhvillim ekonomik të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Reformimi dhe harmonizimi i Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, luan rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë”.

“Përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe, industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar. Kjo pasi sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, pa marrë parasysh që u është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur që t’u përshtatet nevojave të industrisë dhe tregut të punës”, tha Kurti.

Kurti theksoi se për të tërhequr investime të huaja në vend, një nga faktorët kyç është fuqia punëtore e kualifikuar.

“Duke qenë shteti me popullsinë më të re në Evropë, është e domosdoshme që rinia jonë të shkollohet dhe trajnohet me aftësi profesionale, për t’i shërbyer zhvillimit shoqëror, tha kryeministri, duke shtuar se nëpërmjet Arsimit dhe Aftësimit Profesional, do të mund të shtohen vendet e punës, të ulet varfëria dhe të zbutet pabarazia. Do të duhej që edhe si institucione me përgjegjësinë tonë, por edhe si shoqëri me vetëdijen tonë, ta ngrisim më lartë profesionin dhe profesionalizmin jo akademik. Pra është e mundshme të jesh profesionist edhe pa qenë akademik, tha kryeministri, duke ritheksuar se si institucione dhe shoqëri duhet të ndikojmë tek ngritja e reputacionit të profesionistëve jo akademik dhe tek autoriteti i tyre”, tha mes tjerash Kurti.

Gjatë këtij takimi u dhanë propozime rreth fuqizimit të bashkëpunimit me industritë, si dhe lidhjes në mes të parashikimit të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të fuqisë punëtore përmes Arsimit dhe Aftësimit Profesional.