Kurti për “Le Monde”: Po kërkojmë integrim në NATO, jemi më të sigurtë të jemi pjesë e saj

E publikuar: 30/03/2022 23:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti qe

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që Kosova po kërkon integrim në NATO, pasi jemi më të sigurtë si pjesë e saj.

Në një intervistë me gazetën franceze “Le Monde”, Kurti ka përmendur stërvitjen “Defender Europe 21” ku Kosova mori pjesë me 330 ushtarë, derisa Serbia sipas tij, stërvitej me rusët.

“Komuniteti ndërkombëtar ndërhyri fillimisht tek ne sepse donte të parandalonte përsëritjen e gjenocidit të Bosnjës. Tani po kërkojmë integrim të plotë dhe të duhur në Aleancën Atlantike sepse besojmë se jemi më të sigurt nëse jemi pjesë e saj. Kjo është arsyeja pse ne morëm pjesë me 330 ushtarë në stërvitjen “Defender Europe 21”, në mesin e gjashtëmbëdhjetë vendeve nikoqire të Aleancës. Në të njëjtën kohë, Serbia merrte pjesë në stërvitjet me Rusinë të quajtur “Mburoja Sllave”. Kjo tregon gjithçka”.

“Bëhet fjalë për një mendim tribal, pothuajse mistik që i përket një mënyre të konceptimit të raporteve të forcës që nuk i takon as shekullit të 19-të, e aq më pak shekullit 21-të. Tek Putini, këto ide vijnë direkt nga mentorët e tij ideologjikë Ivan Ilyine dhe Alexandre Douguine (dy teoricienë ultranacionalistë)”, tha ai.

Kurti ka folur edhe për qëndrimin e Perëndimit para dhe që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Për të qenë shumë i sinqertë, kam ndjerë një lloj shkëputje. Një javë para pushtimit të 24 shkurtit, merrja pjesë në Konferencën për Siguri në Munih, dhe shumica e pjesëmarrësve nuk e imagjinonin se do të ndodhte, ishin shumë të qetë. Kur mbajmë një qëndrim të tillë ne bëjmë lojën e kundërshtarëve tanë”.

“Në qoftë se lufta në Ukrainë do të kishte zgjatur vetëm tri ditë para se Kievi të dorëzonte armët dhe që shteti të pushtohej, nuk jam i sigurt nëse të gjitha këto sanksione do të merreshin kundër Rusisë. Megjithatë, jemi dëshmitarë të më shumë se një pushtimi, tani jemi dëshmitar të një lufte nacionalçlirimtare të ukrainasve dhe është pikërisht kjo ajo që ka nxitur unitetin dhe solidaritetin e kampit të shteteve demokratike”, tha Kurti.

Tutje, Kurti për gazetën franceze ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është i tunduar që ta përhapë luftën edhe më tej, sesa veç në Ukrainë.

E rajoni më i rrezikuar, sipas Kurtit, është Ballkani Perëndimor ku thotë se këtu Rusia do të mund ta zgjeronte luftën edhe pa përdorur fuqinë e saj ushtarake, por vetëm përmes Beogradit dhe Republikës Serbe të Bosnjës.

“Presidenti Putin ka hyrë në një rrugë pa dalje, përveç nëse ndjek qasjen e më së keqës. Është një formë e vetë sabotimit, ai nuk mund të kthehet mbrapa. Natyrisht këtu jemi të shqetësuar, sepse tundimi i tij që ta përhapë luftën më tej më duket i qartë. Në rrezik janë tre rajone. Moldavia, sepse duke u përpjekur për të enklavizuar Ukrainën dhe për ta privuar nga dalja në Detin e Zi, rusët do të shkojnë nga Krimea në Transnistri nëpërmjet Odesës (Odessa). E dyta është Gjeorgjia: Osetia e Jugut dhe Abkhazia u aneksuan në vitin 2008, viti kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Fronti i tretë që kam frikë se bën pjesë është ai i Ballkanit Perëndimor. Dhe ky rajon më shqetëson më së shumti, jo vetëm për faktin që ka të bëjë me vendin tim. Për arsye se në rastin e Moldavisë dhe Gjeorgjisë, Kremlini duhet të ndajë një pjesë të fuqisë se tij ushtarake për fushëbeteja të reja lufte. Gjersa në rastin e Kosovës, Malit të zi dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës mund ta nënkontraktojë direkt Beogradin dhe Republikën Serbe te Bosnjës. Kështu Rusia do të mund të zgjeronte luftën pa pasur nevojë te përdorë rezervat e saja ushtarake”.

Kurti ka thënë se presidenti rus po e përmend ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si precedent për të justifikuar agresionin e vendit të tij në Ukrainë.

“Fatkeqësisht, këtu kemi edhe organizata të së djathtës ekstreme serbe, të cilat njërën këmbë e kanë në Beograd, ndërsa tjetrën në Moskë. Vërej se Putin e kishte zakon te përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës [ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999], ndërsa tani e bën këtë çdo të dytën ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, dhe ndoshta diku tjetër. Mund ta quajmë këtë një pushtim rus ose edhe një agresion ushtarak. Këto të dyja janë të e vërteta. Mund ta quajmë edhe imperializëm rus. Por ajo që shoh unë, është edhe fashizëm”.

Ai ka thënë po ashtu se lidhjet mes Rusisë dhe fqinjit verior të Kosovës, Serbisë, janë shumë më të forta sesa që njerëzit i imagjinojnë.