Kurti për heroin Fahri Fazliu: Mospajtimi me Serbinë okupatore e karakterizoi veprimtarinë e tij

E publikuar: 05/05/2023 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përshëndetur ngritjen e shtatores së dëshmorit të kombit, Fahri Fazliu, në qytetin e Obiliqit.

Kurti tha se ishte vetëdija e kulluar politike për liri, tradita e mospajtimit me Serbinë okupatorë si dhe përpjekja e pandalur e lufta e vazhdueshme për çlirim, të cilat e kanë karakterizuar veprimtarinë e Fahri Fazliu.

“Kërkesa “Kosova Republikë”, e thirrur nga Fahriu dhe mijëra të tjerë gjatë demonstratave të vitit 1981, nga një parullë popullore dominante e kohës tani është realitet politik me Republikën e Kosovës”.

“Fryma patriotike dhe përkushtimi në aktivizëm, të shoqëruara nga përgatitja teorike dhe konsistenca në vlerat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare si një lëvizje nacionale emancipuese, në mënyrat siç i gjejmë të ndërthurura në mendim dhe veprim te Fahriu e te shokët e tij, janë platformë për ide dhe burim frymëzimi për secilin që i hynë rrugës së aktivizmit politik për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai tha se kushdo që e ka njohur veprimtarinë e Fahri Fazliut, e di që ajo është e pashqitshme nga ajo e Afrim Zhitisë, bashkë me të cilin, sipas Kurtit, luftoi edhe në ditën e rënies së tyre të përbashkët më 2 nëntor 1980.

“Se sa e pastër dhe e lartë ishte veprimtaria patriotike e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë, mund të kuptohet edhe nga trashëgimia e drejtpërdrejtë e tyre politike. Ata që i pasuan Fahriun dhe Afrimin në rrugën e tyre, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, Ilir Konushevci dhe deri te Zahir Pajaziti, janë disa nga profilet e luftëtarëve më të paepur për lirinë e Kosovës”.

“Fahri Fazliu tashmë i derdhur në bronz nga artisti skulptor Sabri Behramaj përjetësohet në sheshin e qytetarëve dhe popullit për të cilët punoi e luftoi deri në frymën e fundit. Nga sot, kjo shtatore do të jetë një vepër arti kujtese për Fahri Fazliun dhe gjithë çfarë ka përfaqësuar ai bashkë me shokët e tij”, shkroi Kurti.