Kurti për “El Pais”: Kosova dhe Katalonia nuk janë të njëjta, pres që Spanja ta njohë Kosovën

E publikuar: 12/01/2023 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për të përditshmen e dytë më të madhe spanjolle “El Pais”, ka kërkuar nga Brukseli që të inkurajojë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që Rusia të mos e shfrytëzojë tensionin dhe të tentojë të zgjerojë luftën nga Ukraina në Ballkan.

I pyetur se si erdhi deri te tensionet e fundit në veri të Kosovës, Kurti tha se gjithçka nisi kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi propozimin franko-gjerman për normalizim të raporteve me Kosovën.

Ai thotë se “origjina e tensioneve është se [Serbia] refuzoi propozimin e BE-së”.“Sepse ata në njërën anë kanë një qasje brutalisht oportuniste ndaj luftës në Ukrainë. Ata marrin gazin më të lirë nga Rusia derisa presin rezultatet e luftës. Në anën tjetër, ata po presin të shohin nëse do të ketë ndryshim të Administratës në SHBA, në zgjedhjet e vitit 2024. Këto dy elemente janë shumë të rëndësishme për të kuptuar pse Serbia nuk është e interesuar për të arritur marrëveshje dhe për normalizim të raporteve”, citon Kurtin “El Pais”.

Sipas Kurtit, incidentin e fundit në Shtërpcë, ku mbetën të plagosur dy të rinj serbë, Lista Serbe po tenton ta politizojë dhe të manipulojë me këtë rast.

“E dënova ashpër sulmin menjëherë dhe qartë. Është shumë mirë që personi tani është në duart e drejtësisë. Disa politikanë nga Lista Serbe po tentojnë të politizojnë incidentin dhe ta kthejnë atë në çështje për Beogradin që të fitojë më shumë pushtet. Është manipulim i rastit”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, veçanërisht për policët. Ai tha se shteti në veri po punon, por shtoi se nuk mund t’u kërkojë kthimin në punë policëve që hoqën dorë nga uniformat dhe distinktivët e tyre “sepse veprimet e tyre nuk ishin korrekte”.

Megjithatë, kreu i qeverisë tha se në konkursin publik, të hapur para pak kohe, nuk do të përjashtohet askush që të aplikojë. “Nuk përjashtohen ata që janë larguar, kush të dojë mund të aplikojë. Nuk kam për qëllim t’i zëvendësoj serbët me shqiptarë dhe dua që serbët të përfaqësohen”.“I kam ftuar të gjithë serbët që i plotësojë kriteret [e përzgjedhjes] që të aplikojnë në konkurse; veçanërisht ata që nuk kanë pasur rast në të kaluarën, sepse Lista Serbe shpesh ka bërë kontingjente punësimi nga anëtarësia në parti”, deklaroi ai.

I pyetur se sa është i gatshëm të lëshojë pe për marrëveshjen me Serbinë, Kurti tha se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Mendoj se na duhet një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Sepse mungesa e marrëveshjes rrit tensionet. Dhe e bën Rusinë të tentojë ta përhapë luftën e Ukrainës në zona tjera. Mendoj se do të ishte shumë me rëndësi për BE-në që të arrihej marrëveshja. Lufta në Ukrainë është e para në Evropë në një shekull e gjysmë ku nuk është përfshirë Ballkani. Prandaj, të vazhdojmë. Por nuk është lehtë. Sepse sjellja e Beogradit lëviz si një dëshirë në makinën e kohës. Ndonjëherë dëshiron të kthehet para vitit 1999. Por, koha nuk kthehet mbrapsht”, potencoi Kurti.

Kreu i ekzekutivit thotë se lufta në Ukrainë “natyrisht” se ka pasur ndikim në Kosovë.

“Ka pasur ndikim sepse Serbia është rreshtuar me Rusinë dhe e ka formalizuar këtë me një marrëveshje në shtator. Lufta ndez elementët më ekstremë. Serbët dhe pro-rusët nisën të bëjnë grafitë pro-Putinit. Por edhe në Kosovë, si reagim, disa nisën të mendojnë se Serbia nuk mund të bëhet shtet evropian. Njerëzit nisën të mendojnë se luftërat nuk ishin vetëm gjëra të së kaluarës, por edhe për të ardhmen. Pas vitit 1999, gjenerata ime besonte se fëmijët tanë më nuk do të kenë nevojë të shkojnë në luftë. Sepse çdo gjeneratë në Ballkan ka vuajtur së paku një luftë. Më nuk jemi të sigurte dhe kjo shkakton nervozë”,ka thënë ai.

Kurti foli edhe për vizitat që ia ka bërë veriut të Kosovës, duke thënë se ka qenë atje disa herë si opozitar, por edhe 2 herë tjera si kryeministër.Për 130 mijë serbët e Kosovës, kryeministri tha se shumica janë të integruar në sistem dhe e njohin qeverinë e Kosovës. Por shtoi se nga këta serbë, në veri jeton një e treta e tyre. “Dhe brenda kësaj një të trete është një pakicë ekstreme. Natyrisht se do të marrë shumë kohë dhe përpjekje. Por mendoj se integrimi është i mundur”.

Duke u ndalur te mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Spanja, Kurti tha se pret që presidenti Pedro Sanchez do ta ndryshojë qëndrimin e tij, teksa ka sqaruar se rasti i Kosovës me Katalonjën nuk janë të njëjta.

“Në ish-Jugosllavi, Kosova ishte pjesa më e varfër dhe më e shfrytëzuar. Derisa Katalonja dhe Vendi Bask janë më të pasurat në Spanjë. NE deshëm të ishim sikurse pjesa tjetër e vendit, por ata na shkelën. E jona ishte çështje koloniale, sikurse Algjeria me Francën”, theksoi kryeministri Kurti.

Tutje, ai tha se Madridi dhe Barcelona s’kanë asnjë çështje të cilën s’mund ta zgjidhin me dialog, për dallim nga problemi i Kosovës me Serbinë.

“Në Spanjë, e cila është vend demokratik, nuk mendoj se ka diçka që Madridi dhe Barcelona s’mund ta zgjidhin përmes dialogut. Problemi që ne e kemi me Serbinë është se ai vend është autokrat. Ka një parti, një lider, një kishë. Dhe me raport të ngushtë me Rusinë. Nëse Madridi ishte sjellë si Beogradi, do të rreshtohesha me Katalonjën”, u shpreh kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë me të përditshmen spanjolle, “El Pais”.