Kurti pas takimeve me Palmer e Lajçak: Në Kosovë nuk do të ketë Asociacion një-etnik

E publikuar: 01/06/2021 13:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth vizitës së Përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Mathew Palmer dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Kosovë.

Kurti ka konfirmuar se nga mesi i qershorit do të ketë takimin e parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, shkruan Reporteri.net.

Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i drejtë dhe se Kosova nuk do të trajtohet si objekt në tryezë por si palë e barabartë.Ai është shprehur se në Kosovë assesi nuk do të ketë Asociacion njëetnik.

“Jemi në Prizren dhe ky është vendi ku po flasim për zhvillimin, fëmijët, mendoj që mjaftueshëm gjithandej emisioneve të tjera flasim për dialogun dhe të ardhmen, do të ketë një takim nga mesi i qershorit, por tani jemi në fillim të qershorit.

Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, të mos krijojmë krahina që ndajnë qytetarët.Dialogu do të jetë parimor, i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë por palë e bisedimeve, me dijen, programin tonë e përgjegjësinë që kemi treguar do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës”, u shpreh Kurti.

Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesi Special i BE’së, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme dje dhe sot në kuadër të vizitës në Kosovë janë takuar me liderët e shtetit të Kosovës.

Palmer dhe Lajçak dje takuan presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin.