Kurti: Nuk lejova që Asociacioni të bëhet kusht për negociatat, Serbia hoqi dorë nga kjo kërkesë

E publikuar: 29/03/2023 20:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti_20230207

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia gjatë gjithë vitit 2021 dhe 2022 ka insistuar që zbatimi i Asociacionit të jetë parakusht për diskutimin e marrëveshjes.

Kurti thotë se nuk e ka lejuar që Asociacioni të jetë parakusht për zbatimin e marrëveshjes. Këtë e ka bërë pas takimit trelateral që e kanë pasur më 18 gusht me përfaqësuesin e BE’së, Joseph Borrell, emisarin special të dialogut, Miroslav Lajcak, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Serbia gjatë vitit 2021 dhe 2022 ka insistuar tërë kohën që zbatimi i Asociacionit të jetë parakusht për të diskutuar për marrëveshjen, kjo ka përfunduar me datën 18 gusht. Më datën 18 gusht, në takimin që kemi pasur me Borrellin dhe Lajcak, njëherë bilateral e pastaj trelateral edhe me presidentin e Serbisë, përfundimisht u vulos që të fillojnë bisedimet për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes. Tri javë më vonë na vjen drafti i parë.

Ai është momenti që unë assesi nuk kam lejuar që Asociacioni të jetë parakusht për marrëveshje sa i përket zbatimit, të jetë në preambulë apo nenet e para por gjithsesi vetëm në kuadër të atyre 39 marrëveshje, që unë dal kryeministër tërësisht joserioz nëse them se nuk janë bërë”, tha Kurti në Rtv Dukagjini.