Kurti nga Gjilani: Prokuroria po e keqpërdorë lirinë për ta luftuar Qeverinë

E publikuar: 04/03/2025 11:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të martën, kur ishte i ftuar të dëshmonte mbi çështjen e rezervave shtetërore në Prokurorinë Speciale, Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në Gjilan.

Ai ka theksuar se është i gatshëm të dëshmojë, por ka kërkuar që hetuesit e Prokurorisë Speciale ta takojnë në zyrën e tij. Sipas tij, ky intervistim ka qenë i mundur qysh në muajin dhjetor.

“Nëse Prokuroria e ka pasur kaq të rëndësishme, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që synon dëshminë e një dëshmitari nuk humb kohë. Pse humbi Prokuroria tre muaj? Është më e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë më parë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, por këtë liri po e keqpërdor për të luftuar qeverinë, e jo krimin dhe korrupsionin. Nuk ka pasur qeveri që ka luftuar korrupsionin dhe krimin si qeveria jonë në këto katër vite,” tha Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se ajo që prioritizon Prokuroria flet më shumë për të sesa për krimin dhe korrupsionin.

“Vëreni se cilat raste prioritizohen. Kanë kaluar vite të tëra dhe denoncimet tona ende nuk trajtohen. Nga marsi 2021 deri në gusht 2022, ministrat e qeverisë sime kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, por asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë. Ajo që prioritizon Prokuroria flet më shumë për të sesa për krimin dhe korrupsionin”, tha ai

Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, sipas Kurtit nuk ka pse të ndryshoj as ai qëndrimin e tij.

Ju e dini që zgjedhjet nuk mbahen për Kryeprokuror, por për Kuvend dhe qeveri. Kryeprokurorët janë aty të barrikaduar, veçanërisht në Prokurorinë Speciale dhe KPK, dhe kjo është për të ardhur keq. Ky është një dëm i vazhdueshëm dhe një padrejtësi e pafalshme që po i bëhet shtetit tonë. Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, nuk kam pse të ndryshoj qëndrimin tim,” tha ai para mediave në Gjilan.