Kurti nga Britania “shuan” shpresat për bashkimin me Shqipërinë: Nuk na e lejon Kushtetuta

E publikuar: 07/06/2022 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, në një diskutim me studentët e Universitetit të Kembrixhit, ka folur edhe për çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Kurti ka thënë përgjatë këtij bashkëbisedimi se Kushtetuta aktuale nuk e lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, teksa e ka quajtur atë kundërthënëse, si dhe duke ia lënë fajin emisarit special të OKB-së, Martti Ahtisaarit.

“Kemi gjuhën e njëjtë, traditat e njëjta dhe kemi vetëdijën e përbashkët kulturore e historike. E kam fituar këtë mandat me punë e drejtësi dhe dua ta bëjë shtetin e Kosovës të fuqishëm edhe ekonomikisht edhe administrativisht. Nuk shoh që përforcimi i Kosovës shkon në të kundërtën e Shqipërisë. Por, aktualisht nuk kemi të drejtë t’i bashkëngjitemi dikujt sepse Kushtetuta sipas Ahtisaarit e ka bërë këtë kundërthënie, sepse pika 1.1 thotë se Kosova është vend i pavarur ndërsa pika 1.3 nuk e lejon atë t’i bashkëngjitet një vendi tjetër”, ka deklaruar ai.

“Është krijuar përshtypja sikurse Kosova kur t’i bashkohet Shqipërisë duhet ti japë pjesë nga territori i saj. Nuk mendoj se duhet ta rrezikojmë integritetin territorial të Kosovës, por prioriteti numër një janë puna dhe drejtësia”, deklaroi ndër të tjera kreu i ekzekutivit. /Lajmi.net/