Kurti në takimin me ministrin suedez: Marrëveshja bazë e Ohrit të zbatohet menjëherë

E publikuar: 20/04/2023 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, në takimin që sot e pati me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, e falënderoi atë për mbështetjen e shtetit të tij të dhënë ndaj Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se në takim gjithashtu u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

Ai tha se Kosova është partnere dhe mike e qëndrueshme e Suedisë, me të cilën ndanë vlera të përbashkëta demokratike dhe orientim të përbashkët euroatlantik.

Të dyja palët shprehën interesimin për përafrimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Me këtë rast, u theksua rëndësia e Odës Nordike Ekonomike e cila pritet të hapet së shpejti dhe roli që ajo do ta ketë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Më tej, u bisedua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raportet ndërmjet dy vendeve dhe për marrëveshjet e arritura së fundmi në Bruksel dhe Ohër, të cilat janë mirëpritur dhe mbështeten edhe nga Suedia. Kurti ndau me Billstrom këndvështrimet e tij nga takimet në Ohër, pritjet për takimin e radhës në Bruksel dhe qëndrimin e tij dhe të Republikës së Kosovës që Marrëveshja Bazë duhet të zbatohet e plotë, pa kushtëzime dhe menjëherë.

Kjo ishte hera e dytë që Billstrom viziton Kosovën në kapacitete të ndryshme. Herën e parë ishte në Kosovë para një dekade.