Kurti në festën japoneze: Japonia vend mik dhe partner i vërtetë i popullit tonë

E publikuar: 22/02/2023 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Festën Kombëtare të Japonisë, me rastin e ditëlindjes së Perandorit Naruhito, e cila u organizua nga Ambasada e Japonisë.

Më këtë rast, Kryeministri Kurti në fjalën e tij, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka uruar ditëlindjen Madhërisë së Tij, Perandorit Naruhito, duke shtuar se ndihet i nderuar të festoi në këtë ditë të veçantë me kaq shumë miq të Japonisë dhe Kosovës në Prishtinë. Në të njëjtën kohë i uroi mirëseardhje shumë të ngrohtë ambasadorit Mizuuchi duke e përgëzuar për detyrën dhe përgjegjësitë e reja.

Kryeministri Kurti para të pranishmëve tha se këtë muaj festuam 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe së shpejti do të pasohet me 15-vjetorin e njohjes së Kosovës nga Japonia, më 18 mars. Ndërsa, vitin e ardhshëm do të shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy kombeve tona.

“Japonia ka qenë një mik dhe partner i vërtetë për popullin tonë. Ishte vendi i parë në Azinë Lindore ku Republika e Kosovës hapi një ambasadë, gjë që tregon rëndësinë që i kemi kushtuar aleancës sonë që në fillim”, tha Kryeministri Kurti, teksa shtoi se jemi veçanërisht mirënjohës për vendimin e Japonisë për të hapur Ambasadën e saj në Prishtinë në vitin 2020.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është me rëndësi të Kosova dhe Japonia të avancojnë partneritetin, veçanërisht në dy drejtime. Së pari drejtë shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik. Ai potencoi faktin se falë punës së Qeverisë në dy vitet e fundit, Kosova tani ofron një klimë edhe më tërheqëse për investitorët japonezë se më parë. Së dyti, krahas marrëdhënieve ekonomike, kryeministri theksoi që është po aq e rëndësishme dy vendet tona të zhvillojnë aleancën si dy vende demokratike, të dyja përballë sfidës së regjimeve autokratike në rajonet tona përkatëse.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Japonia ndajnë shumë vlera të përbashkëta politike dhe kulturore.

“Ideja e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial – këto janë vlerat politike që na lidhin së bashku. Dhe ndjenja e komunitetit, respekti i lartë për institucionet shtetërore dhe përgjegjësia ndaj familjes, janë elementet që na bashkojnë kulturalisht me Japoninë”, tha ai.