Kurti i ndërron fjalët në fushatë, tani ka respekt për flamurin e Kosovës

E publikuar: 23/05/2017 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, pas një ligjerate me studentë në Kolegjin ISPE, në një konferencë për media, i pyetur nëse partia e tij, Vetëvendosje, i pranon simbolet e Kosovës, ai është treguar i rezervuar në përgjigjet e tij, duke thënë se ata nuk i dëmtojnë simbolet e shtetit.
“Ne gjatë vizitave jashtë shtetit, nuk i kemi hequr ato e as nuk i kemi dëmtuar. Kosova meriton simbole më të mira, por nuk duhet të merremi me simbolika. Kosovës i takon edhe meriton simbole të tjera”.

Kurti ka folur edhe për mundësinë e ndryshimit të simboleve, duke përfshirë edhe flamurin, raporton gazetametro.net.
“Çfardo ndryshimesh që do t’i bëjmë, do t’i bëjmë me ndryshime ligjore. Ajo për të cilën është e angazhuar Vetëvendosje, do të jetë substanca e shtetit të Kosovës, e jo simbolikat”.

Ndërsa i pyetur për një reklamë të PDK’së, ku Vetëvendosje paraqitet si parti që djegë vetura, Kurti ka thënë se nuk e ka parë atë reklamë, por sipas tij, partia që ai përfaqëson nuk funksionon me bateri.

“Vetëvendosje nuk funksionon me bateri. Nuk ka burim material të energjisë. Dhe nuk duhet ta merrni pdk’në më seriozisht se sa vetëvendosjen”, ka thënë Kurti.