Kurti: Mësuesi, mësuesja duhet të jenë një lloj zbuluesi i prirjeve dhe i talenteve të nxënësve

E publikuar: 04/08/2022 19:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me bursistë të Institutit Veror 2022 “Teach for Kosova”.Siç thuhet në një komunikatë për media, aty ndër të tjera u diskutua për lidershipin, arsimin dhe inovacionin.Kurti gjatë fjalës së tij hyrëse tha se është shumë e rëndësishme të diskutohet lidershipi edhe aktivizmi në dritën e edukimit dhe arsimit, sepse siç tha ai, beson që dija i lëviz njerëzit.

Kosova, tha ai, sot ka 327 mijë e 676 nxënës edhe 23 mijë e 33 mësimdhënës, një mësimdhënës për 14 nxënës ku ndër detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të mësimdhënësve janë edhe identifikimi i potencialit dhe talentit të fëmijëve në mënyrë që ta ushqejnë atë më tej.“Mësuesi, mësuesja duhet të jenë një lloj zbuluesi i prirjeve dhe i talenteve të nxënësve e unë besoj që secili prej neve duhet ta ketë kontributin e vet në shoqëri në këtë aspekt”.Arsimi, sipas Kurtit e ka për detyrë të jetë gjithëpërfshirës.

Askush, shtoi më tej ai, nuk duhet të lihet anash ose mbrapa, dhe se ata që i kanë mundësitë më të mëdha i kanë edhe përgjegjësitë më të mëdha që t’i ndihmojnë të tjerët.Derisa theksoi përqendrimin e qeverisjes drejt inovacionit, kryeministri Kurti shtoi se për të shënuar progres përmbajtjesor duhen metoda dhe gjëra të reja.