Kurti kërkon ndihmë nga Shqipëria në arenën ndërkombëtare

E publikuar: 27/03/2023 07:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar të dielën në Tiranë për të diskutuar me krerët e shtetit shqiptar mbi zhvillimet e fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Një javë pas marrëveshjes Kosovë-Serbi në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Tiranë të dielën (26.03.) për të diskutuar me krerët e shtetit shqiptar mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Në takimet kryesore politike, Kurti ka gjetur mbështetje të gjerë politike nga Tirana zyrtare për kurajon e treguar në Takimin e Ohrit dhe ujdinë e arritur për të hedhur hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë,

Gjatë paradites së të dielës Kurti u prit nga Presidenti i Shqipërisë, z Bajram Begaj, dhe më pas nga kryeparlamentarja znj. Lindita Nikolla.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i vlerësoi rezultatet e takimit të Ohrit, si një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. Ai përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga kryeministri i Kosovës dhe ekipi negociator për ta pranuar planin evropian dhe zbatuar atë.

Zyra e Presidencës njoftoi se lidhur me takimin e Ohrit të mbajtur më 18 mars 2023, Presidenti Begaj vlerësoi dakordësimin publik dhe angazhimin e palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës. Begaj ka shprehur po ashtu besimin, se do të gjenden mekanizmat e duhur që dakordësimi publik i Ohrit të kthehet në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Kurti zhvilloi bisedime të dielën edhe me kryeministrin Edi Rama. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkroi në Facebook se i ka shprehur kryeministrit të Kosovës simpatinë për kurajon dhe realizmin që ka treguar për të hedhur hapa me rëndësi. “E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka shkruar Edi Rama. Kryeministri Albin Kurti zhvillon bisedime edhe me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kurti kërkon nga Shqipëria ndihmë në arenën ndërkombëtare

Pas takimeve me krerët e shtetit shqiptar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në qendër të bisedime kanë qënë detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve të realizuara në Bruksel dhe aneksi i zbatimit në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë. ”Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi dhe në hollësi me procesin e dialogut, por gjithashtu me elementët përbërës të marrëveshjes që tashmë duhet të realizohet” – u shpreh Kurti. Më tej ai kërkoi nga Shqipëria që ta ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. “Çdo herë kur diskutohet, duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial. Por gjithashtu, të na ndihmojë edhe në anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, meqenëse e dimë se Shqipëria ka ulëse në OKB, është pjesëmarrëse dhe anëtare” – shtoi kryeministri Kurti. /DW/