Kurti kërkon bashkërendim të BE-së e SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi

E publikuar: 02/03/2021 13:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar bashkërendim të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi.

Në një njoftim të kësaj partie për takimin e së hënës mes Kurtit dhe përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bëhet e ditur se i pari i VV-së ka theksuar pikëpamjet e tij për procesin e dialogut.

Teksa e ka njoftuar për prioritetet e tij pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurti, Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë është proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se dialogu, në qeverisjen e tij, duhet të jetë me qasje të re, e jo “transaksional”. Kurti ka kërkuar bashkërendim të BE-së e SHBA-së për këtë proces, ndërsa ka shtuar se dialogu duhet të jetë në shërbim të popujve e jo qeverive.

“Porse duke qenë i tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. Duhet të jetë transformues duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter trans-atlantik në kuptim të bashkërendimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të integrimeve perëndimore për të dy palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë”, thuhet në njoftim të VV-së.Për qasje të re në dialog ka folur të martën në mëngjes edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Ajo e cilësoi “qasjen e re” si respektim të vijave të kuqe për Kosovën duke vënë në theks të parë mosdialogimin për kufijtë dhe sovranitetin e vendit.

Për bashkërendim të SHBA-së e BE-së Lajçaku të hënën ka diskutuar edhe me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Në njoftimin për këtë takim, Kosnett ka thënë se “ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për bashkëpunim në procesin e dialogut, të udhëhequr nga BE-ja”.