Kurti: Investimi në rini ia kthen shtetit trefish koston

E publikuar: 16/05/2023 12:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka prezantuar procesin hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 si dhe Planit të Veprimit 2024-2026, raportn Ekonomia Online.

Strategjia, siç u shpreh kryeministri Albin Kurti, ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve të grup-moshave 15 – 24 vjeç, duke përfshirë të gjitha palët e interesit si nga sektori qeveritar ashtu edhe nga ai joqeveritar.

Ai tha se një tjetër synim i strategjisë është që t’i mbrojë të rinjtë nga disavantazhet të cilave u ekspozohen, si dhe t’i përforcojë avantazhet e tyre.

“Synimi i kësaj qeverie mund të përmblidhet me dy fjalë, punë dhe drejtësi.  Që t’i arrijmë këto qëllime, planifikimi është i nevojshëm sidomos për të rinjtë, që është një çështje komplekse dhe ndërsektoriale”.

“Të jesh i ri është sfidë në vete, prandaj zhvillohen edhe politikat rinore, që t’i ndihmojmë të rinjtë të kalojnë nga kujdesi i shtëpisë në kujdesin e shtetit. Të rinjtë kanë përparësi por edhe disavantazhe. Ndodh që të rinjtë të jenë më shumë të papunë, të ekspozuar në substanca e të kenë presion në punë. Roli ynë është që t’i mbrojmë nga disavantazhet dhe t’i ndihmojnë në avantazhet e tyre”.

Tutje, Kurti ka treguar se buxheti për këtë vit i përkushtuar për rininë do t’i ketë 100 milionë euro më shumë, teksa tha se çdo investim në rini i kthehet shtetit trefish më shumë.

“Të jesh i ri apo e re ia vlen për shtetin dhe ekonominë dhe ka ardhur koha që të bëhet një investim serioz, e për këtë duhet të kemi edhe sa më shumë diskutime me ta. Në të kaluarën kemi pasur planifikim dhe zbatim të fragmentuar. Universitetin e bëmë falas teksa kemi ndarë edhe mbi 3 mijë bursa”, u shpreh Kurti.

“Punësimi i të rinjve po rritet. Këtë vit do të ndahen 2 milion euro për 2 mijë bursa në fushën STEM. Buxhetit i janë shtuar 100 milionë euro më shumë këtë vit. Investimi në të rinjtë ia kthen shtetit trefish koston”.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku,  tha se strategjia ka si udhërrëfyes Këshillin e Evropës e se ajo gjithashtu synon të nxitë bashkëpunimin ndërmjet organizatave rinore, ndërmjet organizmave qendrorë dhe komunalë për të fuqizuar politikat dhe programet rinore.

“Me vizionin e qeverisë na janë bashkuar edhe institucionet tjera. Institucionet tjera kanë ndonjëherë edhe më shumë peshë në implementimin e strategjisë”.

“Po synojmë që të ketë planifikim të mirëfilltë, të ketë bashkëpunim më të madh institucional dhe investime më të mëdha. Si udhërrëfyes për strategjinë është Këshilli i Evropës”, tha Çeku.

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Arnhild Spence, tha se shpreson që strategjia ta adresjë edhe ikjen e të rinjve, të cilët i konsideroi një aset shumë të çmueshëm për Kosovën.

“Strategjia e re i adreson nevojat dhe dëshirat e të rinjve. Me pëlqen që në të përfshihet edhe një dhe qasje ndërsektoriale”.

“50% e njerëzve që jetojnë në Kosovë janë të rijnë. Kjo është e mrekullueshme por edhe një kërcenim sepse të rinjtë po ikin nga vendi. Shpresoj që strategjia e re ta adresojë edhe këtë çështje”.

Spence tutje ka përmendur edhe ndihmën e OKB-së për Kosovën në këtë aspekt.

“UNKT po e ndihmon Kosovën në këtë aspekt. Kemi agjencitë që janë të specializuara për hartimin e politikave dhe këshillimin e Qeverisë. Ka edhe programe vullnetare, nga të cilat të rinjtë mund të përfitojnë shumë”.