Kurti i thotë shefit të NATO-s se Serbia me ndihmën e Rusisë ka ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës

E publikuar: 11/03/2025 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, është takuar sot në Qeverinë e Kosovës edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar në një postim në “X” lidhur me këtë takim, i ka thënë Sekretarit të NATO-s, se Serbia me ndihmën e Rusisë kanë ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ne vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për sigurinë rajonale dhe evropiane.

Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës.

Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale”, ka thënë Kurti pas takimit.

Para Kurtit, Rutte ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, me të cilën kanë mbajtur edhe një konferncë për media.

“Vizita ime këtu demonstron përkushtimin e palëkundur për siguri afatgjate në gjithë Kosovën”, ka deklaruar Rutte.