Kurti flet me Lajçakun për dialogun dhe personat e zhdukur

E publikuar: 07/12/2020 22:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Kurti, në një cicërimë në Twitter, ka thënë se me Lajçak kanë biseduar për disa çështje që duhen zgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë për fatin e personave të zhdukur.

“Sot , në një bisedë telefonike me Miroslav Lajçak, kemi diskutuar për çështje të ndryshme që duhen zgjidhur, me theks të veçantë për fatin e personave të zhdukur. Unë e kam falënderuar Lajçak për rolin mbështetës që BE-ja ka dhënë në procesin e dialogut dhe jemi pajtuar që qytetarët duhet të jenë përfituesit kryesorë”.

“E përsërita që dialogu duhet të jetë parimor, i definuar mirë dhe duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e diskutueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kurti.