Kurti e ndihmëssekretarja e SHBA-së për Çështje Evropiane flasin për dialogun Kosovë – Serbi

E publikuar: 30/12/2021 20:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të enjte zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretaren për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried.

Në këtë bisedë u fol për dialogun Kosovë – Serbi, ku Donfried tha se është i rëndësishëm takimi mes liderëve, dhe se duhet të ketë një agjendë me tema, përherë në funksion të sovranitet dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ndërsa, sa i përket dialogut, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se ai ka qenë çdoherë aktiv dhe konstruktiv në dialog, ndërsa marrëveshja duhet të ketë qendër njohjen reciproke.

Tutje, Donfried e ka falënderuar të parin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë, ku sipas saj, Kosova me këtë rast ka demonstruar se është partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Donfried, gjithashtu e ka falënderuar Kurtin për pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Demokracive.

“Ndërsa, kryeministri Kurti e falënderoi për ftesën që Kosova të jetë pjesë e këtij samiti dhe tha se e mirëpret dhe është i inkurajuar nga fakti që Presidenti Biden e ka shpallur krimin e korrupsionin kërcënim të sigurisë kombëtare për SHBA-në, por edhe për demokracinë në mbarë botën”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

Më tej, Kurti ia ka përmendur edhe të arriturat, që sipas tij, Kosova i ka bërë në këtë vit.