Kurti e Bislimi ia lënë Qeverisë meritat përfundimtare për vizat

E publikuar: 30/11/2022 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Europian nga viti 2018 ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, duke thënë se i ka përmbushur të gjitha kushtet. Por, procedura kishte ngecur në Këshill.

Sot kur kaloi edhe në këtë fazë, kryeministri Albin Kurti ka marrë meritat për këtë sukses.

“Ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit. Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti tha se disa punë të Qeverisë së tij kanë përmirësuar imazhin e Kosovës.

“Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave; politikat sociale të rishpërndarjes me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe atë për Përballje me Inflacionin; rreshtimi me botën demokratike dhe qeverisja e mirë dhe e pastër ka ndryshuar rrënjësisht imazhin e Kosovës”.

Për këtë, ai ka thënë se falënderon qytetarët, sepse “vendimi i sotëm është fillimisht meritë e juaja ngase vetëm ju mund të ndryshonit imazhin e vendit tonë duke ndryshuar qeverinë përmes votës dhe qeverisjen përmes pritshmërive”.

Ngjashëm ka folur edhe zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi. Por, ai ka shtuar edhe një element, që, sipas tij, ka çuar në marrjen e vendimit sot nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së.

“Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit. Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”.

Bislimi foli për fazën e radhës  – atë ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian – për të cilën tha se pret që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final.

Ai falënderoi Presidencën çeke që ka shtyrë përpara këtë çështje, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces.