Kurti: Dy tre muaj s’na duhet më shumë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

E publikuar: 01/12/2022 09:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti qe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet para pranverës dhe beson se dy ose tre muaj janë të mjaftueshëm për normalizimin e raporteve.

Ai gjatë një interviste për emisionin Pressing në televizionin N1, edicioni në gjuhën boshnjake, potencoi se Qeveria e Kosovës dëshiron marrëveshje, por sipas tij, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dëshiron dialog për hir të dialogut, jo dialog për hir të marrëveshjes.

“Ne duam një marrëveshje, le të shkojmë në dialog. Beogradi dhe Vuçiç duket se nuk duan marrëveshje. Kosova është një vend normal, ne e kemi shpallur pavarësinë gati 15 vjet më parë dhe në vitin e fundit kemi pasur rritjen më të lartë historike”.

“Pra Kosova është një vend normal me progres dhe zhvillim, por marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Nuk bëhet fjalë për Kosovën, Serbia nuk është një vend normal”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, gjatë sundimit të Partisë Progresiste, Serbia u bë guvernator i Rusisë dhe shtoi se për këtë arsye situata në Ballkan është e rrezikshme.

“Është një autokraci me lidhje shumë të gjera dhe të ngushta me Kremlinin. Serbia gjatë sundimit të SNS-së u bë provincë e Rusisë dhe për këtë gjendja në Ballkan është e rrezikshme sepse, përveçse lufton hegjemoninë e Beogradit, lufton edhe edhe të Rusisë”.

Kurti komentoi edhe kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, e nënshkruar në vitin 2013, duke ngritur paralele me entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë – “Republikën Srpska”.

“Për të normalizuar marrëdhëniet, ne duhet të kemi njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes. Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë ata janë kundër marrëveshjes”.

“Kosova nuk do ta lejojë Republikën Srpska brenda Kosovës dhe ne e dimë shumë mirë se këtë e dëshiron Serbia. Ne kemi përvojë të hidhur nga BeH dhe jemi shumë të kujdesshëm që Serbia të mos e kopjojë atë model në Kosovë”, përfundoi ai.