
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot në New York, ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, për të cilin kryeministri, Albin Kurti pati dje shumë kritika.
Në fotografitë e publikuara nga vet ajo, presidentja Osmani shihet e fokusuar në një diskutim me Lajçak, ndërsa mban në duar një gotë me pije.
Kujtojmë që veç një ditë më parë, sipas kryeministrit Albin Kurti, në takimin e fundit në Bruksel, dukej të kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Miroslav Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
Derisa sot presidentja deklaroi se takimi ndodhi nën organizimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, pjesë e të cilit ishin edhe pesë presidentë të tjerë, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo shkroi se në diskutim, ka ritheksuar që ”dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”.