Kurti: Aq sa na bashkon historia aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë

E publikuar: 20/06/2022 21:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Kryeministrit të vendit, Albin Kurtit është deklaruar lidhur me mbledhjen e dy qeverive, të zhvilluar sot në Prishtinë.

Kurti tha se aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet që të lidhet bashkëpunimi institucional në çdo fushë.

“Mbledhjen e tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtëm në Prishtinë.Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë. Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit.”, tha Kurti.

Kurti theksoi se me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore.

“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta.”, shtoi ai.

Fjala e Kryeministrit Kurti:

Prishtinë, 20 qershor 2022

I nderuar Kryeministër Rama, i dashur Edi,

Të nderuara medie,

Të dashur qytetarë të dy vendeve tona,

Mirë se po takohemi në këtë konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama, e treta me radhë në më pak se një vit, e në më pak se një vit mbajtëm edhe dy mbledhje të përbashkëta të kabineteve tona qeveritare, dëshmi këto të forta për bashkëpunimin tonë.

Pas zbatimit thuajse të plotë të marrëveshjeve, që nënshkruam në nëntor të vitit të kaluar, gëzohem, që sot u pajtuam edhe për një mori sosh të reja, plot 19 të tilla, duke shtuar kështu edhe më shumë bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit, të rendit, energjisë dhe infrastrukturës, tregut të përbashkët ekonomik, të turizmit, mbrojtjes e të tjera.

Gjithmonë, marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy vendeve, bëhen për t’i shtuar marrëdhëniet dhe për t’i afruar edhe më shumë qytetarët.

Ne, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta, teksa qëndrojmë të përbashkuar.

Të përbashkuar si sot, rreth nevojës, dëshirës dhe qëllimit për zhvillim, barazi, drejtësi dhe mirëqenie.

Tetë ditë më parë në Kosovë festuam 23-vjetorin e Ditës së Çlirimit dhe Paqes, ndërsa sot është Dita Botërore e Refugjatëve.

Kur kremtojmë 12 Qershorin, nuk mund të mos e kujtojmë rolin e rëndësishëm, që kishte Republika e Shqipërisë në luftën tonë për çlirim dhe të përkujtojmë dëshmorët dhe luftëtarët shqiptarë, që iu bashkuan luftës çlirimtare.

Kur shënojmë Ditën e Refugjatëve, nuk mund se si të mos jemi falënderues ndaj familjeve shqiptare, që strehuan bashkëkombësit e tyre, të cilët po dëboheshin masivisht e kërcënoheshin nga spastrimi etnik në pranverën e vitit 1999.

Në përvjetorë e ditë si këto, nuk kujtojmë vetëm dhimbjen, që na është shkaktuar nga agresori, por edhe lehtësimin e mbështetjen, që na ka ardhur nga motrat e vëllezërit e kombit dhe nga miqtë ndërkombëtarë.

Vendet tona nuk i bën bashkë thjesht interesi, por është në interesin tonë, që të qëndrojmë bashkë. Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë, bashkëpunim ky, që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit. Sidomos ky besimi i ndërsjellë social, është dëshmuar të jetë qenësor në gatishmërinë për bashkëpunim ekonomik e tregtar.

Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë një trend shumë pozitiv të bashkëpunimit tregtar, që duhet ta avancojmë.

Vetëm brenda pesë viteve të fundit, shkëmbimi ynë tregtar me Shqipërinë është shumëfishuar.

Sot, ne importojmë nga Shqipëria më shumë se asnjëherë më parë dhe eksportojmë në Shqipëri më shumë se asnjëherë më parë, e kur jemi te gjërat që nuk janë bërë asnjëherë më parë, por që po i bëjmë për herë të parë, padyshim se projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme.

Kjo hekurudhë do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojmë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne, do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.

Në fund do i uroj edhe njëherë mirëseardhje në Prishtinë Kryeministrit Rama dhe kabinetit qeveritar dhe i falënderoj për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë në arritjen e marrëveshjeve të reja dhe zbatimin e atyre të kaluara.

Ju faleminderit.