Kurti, ambasadores së Luksemburgut: Ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time

E publikuar: 24/06/2022 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në pritjen e organizuar për Ditëlindjen Zyrtare të Dukës së Madh, Ditën Kombëtare të Luksemburgut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar vazhdimisht nga ky shtet.

Gjatë kësaj ceremonie, Kurti e pati një porosi drejtuar ambasadores së Luksemburgut, Natacha Gomes.

Ai i kërkoi nga Gomes që në ditët e javët në vijim të mos takojë përfaqësues të opozitës.

“E di që Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Bashkimin Evropian. Jemi në prag të rritjes së pagës minimale në Kosovë. Prandaj, në ditët dhe javët në vijim, ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time”, ishte kjo fjalia me të cilën Kurti e përmbylli fjalimin e tij.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Jam i lumtur dhe i nderuar që jam këtu sonte dhe i bashkohem festimeve për Ditëlindjen Zyrtare të Dukës së Madh, Ditës Kombëtare.

Luksemburgu është një shembull i diversitetit dhe mirëqenies. Shtëpia e një numri të madh kulturash dhe popullsie tepër të larmishme, që u bë shtëpia e shqiptarëve nga Kosova, të cilët kërkonin strehim nga lufta e viteve 1998-1999.

Nuk do ta harrojmë kurrë guximin e Luksemburgut për të vepruar në mbrojtje të së drejtës sonë për jetë dhe liri.

Luksemburgu ishte gjithashtu një nga të parët që mbështeti pavarësinë e shtetit tonë. Dhe gjatë këtyre dekadave, u kthye në partnerin dhe mikun tonë afatgjatë.

Nuk është çudi që Luksemburgu është një nga shtetet anëtare themeluese të Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe OECD-së.

Ne jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar vazhdimisht nga shteti i Luksemburgut. Sidomos për kontributin në zhvillimin e Kosovës, mbështetjen për udhëtim pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe perspektivën tonë për integrim evropian.

Të dashur miq,

Në vitet ’90 qytetarët e Kosovës masivisht mësonin të flisnin gjuhën gjermane. Ata që u larguan në Gjermani për shkak të represionit, por edhe ata që vazhduan të jetonin nën okupim, falë RTL. Për Radio Televizionin e Luksemburgut, në Kosovë tridhjetë vjet më parë, lirisht mund të themi se ishte në togfjalëshin “Big in Japan”. Mund të vë bast se në vitet ’90 më shumë njerëz në Kosovë sesa në Luksemburg e shikonin RTL. Megjithatë, RTL nuk ishte e vetmja gjë “Big in Japan” në Kosovë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për një fshat të vogël në Luksemburg, të quajtur Shengen. Shengen – supozohet të shqiptohet me një psherëtimë të brendshme. Përsëri, mund të vë bast se ky fshat në Luksemburg është shumë më i famshëm në Kosovë sesa në Luksemburg.

Ritheksoj vullnetin e qeverisë sonë për të forcuar më tej lidhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm. Vetëm dje në mbledhjen e kabinetit tonë miratuam dy iniciativa për Marrëveshjen Bilaterale të Bashkëpunimit Zhvillimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Ne mbetemi të përkushtuar dhe po punojmë vazhdimisht së bashku për të mbajtur të forta lidhjet tona dhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë.

E dashur zonja Gomes,

E di që Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Bashkimin Evropian.

Jemi në prag të rritjes së pagës minimale në Kosovë. Prandaj, në ditët dhe javët në vijim, ju lutem të përpiqeni të mos e takoni opozitën time.

Faleminderit shumë!

Urime për Ditën Kombëtare dhe gëzuar!