Kurteshi tregon gjendjen e Astrit Deharit në takimin e fundit me të

E publikuar: 22/02/2023 21:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Sami Kurteshi

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka rrëfyer takimin e parë dhe të fundit në burg me të ndjerin Astrit Dehari.

Kurteshi ka thënë se vizita e fundit në burg me Deharin ka qenë dy-tri ditë para rastit tragjik të vdekjes së tij.

Ai në një intervistë për Debat Plus e ka përshkruar e si Dehari ishte i buzëqeshur dhe i veshur me një këmishë, duke shtuar se nuk kishte asnjë shqetësim të madh në sytë e tij.

“Pas arrestimit ka qenë hera e parë kur e kam parë, kishte veshur një këmishë të re, edhe ishte i qeshur, së paku në sytë e mijë nuk vërehej asnjë shenjë se ai mund të ketë ndonjë shqetësim të madh”, është shprehur Kurteshi.

“Unë së paku nuk kam vërejtur asnjë shenjë të ndonjë shqetësimi të madh nga ana e tij që mund të më kishte bërë për të menduar që gjendja është keq”, ka thënë tutje Kurteshi.

Po ashtu, Kurteshi ka thënë se Dehari kishte kërkuar që ai ta vizitonte në burg, dhe se aty me të kishte qëndruar pesë minuta.

“Ai edhe ka kërkuar që unë të vizitoj atë, e njoh prej fëmijërisë edhe kemi një afërsi të madhe me familjen, aty kam qëndruar vetëm pesë minuta me Avniun, pasi kemi dashtë me i lënë më shumë kohë me gruan e tij”, është shprehur ai.

“As familja as vizitorët tjerë nuk kanë të drejtë të flasin rreth çështjes në vizitë mund të diskutojnë vetëm çështje private, ai më ka pyetur vetëm për familjarët sepse njihemi. Por, nuk më kujtohet që kemi përmendur emra të tjerë jashtë familjes. Mundem të them që gjatë bisedës kemi qenë të lirë duke i thënë që mos e mbaj gajlen se ne do të fitojmë”, ka treguar Kurteshi.

Ndërkaq, ai ka thënë se kjo vizitë ishte hera e parë dhe e fundit dhe se nuk e mban mend kush ka qenë aty përveç VV-së, por ka shtuar se nuk ka pasur mundësi, të jenë numër i madh.