Kurteshi: Koalicioni qeverisës, bashkë me PDK-në po zaptojnë të gjitha pozitat në institucionet publike

E publikuar: 30/09/2020 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka thënë se gjatë përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka pasur shkelje ligjore.

Kurteshi në një konferencë për media ka thënë se shkeljet që po bëhen në KQZ nuk po bëhen publike, transmeton Telegrafi.

“Kjo konferencë është organizuar për një shkelje që ka ndodhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është fjala për përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të sekretariatit të KQZ-së. Përveç kësaj është një përpjekje që të gjitha shkeljet që bëhen në KQZ nuk bëhen publik në media, ose gjenden arsye të ndryshme që mediat të mos jenë në mbledhjet e KQZ-së”, pohoi ai.

Gjatë konferencës, Kurteshi foli për procesin e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të sekretariatit të KQZ-së.

“Ky proces ka filluar në fund të qershorit dhe për shkak të procedurave dhe gjendjes që kemi me pandeminë COVID-19, janë bërë zvarritje por kanë qenë të arsyeshme. Ajo që ka qenë më e rëndësishme është që në procesin e përzgjedhjes dhe pas shpalljes së konkursit, dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve dhe mbylljes së konkursit për arsye politike është ndryshuar udhëzimi administrativ. Kjo ka të bëjë pikërisht me caktimin e panelit brenda KQZ-së, që bën përzgjedhjen dhe propozimin e kandidatit për KQZ-së. Kemi shkelje ligjor. Askund nuk ndryshohen rregullat e lojës, pasi të fillon loja”, theksoi ai.

Kurteshi tha se koalicioni qeverisës bashkë me PDK-në, po zaptojnë të gjitha pozitat në institucionet dhe ndërmarrjet publike.

“Është një përpjekje e koalicionit qeverisës bashkë me PDK-në të zaptojnë të gjitha pozitat në institucionet apo ndërmarrje publike”.

Ndryshe, në krye të ekzekutivit të KQZ-së është emëruar Burim Ahmetaj, i cili deri më tani ka qenë shef i Qendrës për Numërimin e Votave dhe Rezultateve.