Kurdisja e ndeshjeve, “kancer” i futbollit

E publikuar: 12/01/2020 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kurdisjet e ndeshjeve në Ligat e Kosovës, nga njohës të sportit, po shihen si kancer i futbollit. Për këtë çështje tashmë është ngritur edhe një aktakuzë nga Prokuroria e Mitrovicës.

Katër persona po akuzohen nën dyshimin se kanë kurdisur një ndeshje të Ligës së dytë të Futbollit në Kosovë, ku u shënuan 3 gola.

Gjithçka kishte ndodhur në marsin e vitit të kaluar. Skuadra mysafire Fushë Kosova, ishte duke fituar në pjesën e parë me rezultat 0-1. Rezultati u përmbys nga skuadra nga Mitrovica, Trepça dhe ndeshja kishte përfunduar me rezultat final 2 me 1.

Ky rezultat ngriti dyshimet për kurdisje të ndeshjes dhe menjëherë kishin filluar hetimet. Por, ky është rasti i vetëm që është hetuar nga Prokuroria e Shtetit, e cila konfirmon se s’ka raste tjera.

Në një përgjigje me shkrim nga ky institucion, thuhet se “nuk është u duke zhvilluar ndonjë procedurë hetimore lidhur me këto raste”.

Edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), thonë se ky është rasti i vetëm që është hetuar nga organet e rendit.

Ejup Osmani, zyrtar për Integritet në FFK, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto raste nuk duhet të ndikojnë dhe zbehin punën e mirë, sipas tij, që bëhet në “shtëpinë” e futbollit kosovar.

“I vetmi rast është ai që është proceduar në gjykatë dhe më duket se është ngritur aktakuzë ndaj personave që kanë qenë të përfshirë në atë ndeshje. Kemi edhe disa raste që na kanë lajmëruar disa njerëz, por të jemi të sinqertë nuk kanë dhënë ndonjë material të mjaftueshëm dhe bindës, që të fillohet ndonjë hetim i mëtutjeshëm edhe për ndeshje të tjera”, thotë Osmani.